Kërko:
Kërkim i Avancuar
Postuar: 28/11/2009 - Komente 1 [ Koment ] - 0 trackback(s) [ Trackback ]
Category: Histori

altShkrimet që publikoi gazeta e njohur amerikane para dhe pas 29 Nëntorit. Përpjekjet për të penguar shpalljen e pavarësisë dhe roli i Ismail Qemalit

Gazeta “Albania” risjell për lexuesit e saj të gjitha shkrimet që u botuan në gazetën prestigjioze amerikane “The New York Times” për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912. Në këtë speciale, kushtuar 96-vjetorit, kemi përzgjedhur disa nga shkrimet dhe lajmet e publikuara përpara dhe pas momentit të deklarimit të mëvetësisë së shqiptarëve.
Një vëmendje të veçantë gazeta amerikane i kushton edhe Ismail Qemalit, protagonistit kryesor të kësaj ngjarjeje. Intervista që dha plaku i Vlorës për një gazetë britanike rivjen sërish, duke treguar detaje të rolit të tij në Perandorinë Osmane dhe problemet që pati pas largimit të sulltanit Abdul Hamiti në vitin 1908. Disa ditë para ngritjes së flamurit në Vlorë, disa prej Fuqive të Mëdha dolën në mbrojtje të Shqipërisë, ndërsa disa shtete të tjera e kundërshtuan një hap të tillë, përfshirë fqinjët grekë dhe serbë.

Në arkivën e “The Times”-it jepen përpjekjet dhe negociatat e Ismail Qemalit për të bërë njohjen e pavarësisë te shtetet perëndimore. Vetëshpallja e pavarësisë së Shqipërisë vendosi në dilemë dhe konflikte të ashpra edhe Konferencën e Londrës. Falë arkivës së “The New York Times”-it vijnë për lexuesin e gjerë sot të gjitha përpjekjet dhe sfidat e bëra nga shqiptarët 96 vjet më parë, për të krijuar shtetin e tyre pas 500 vitesh sundimi prej Perandorisë Osmane.

Ismail Qemali, besnik i Perandorisë Osmane, përplaset me Italinë

Gazeta amerikane sjell intervistën e Qemalit për “The Morning Post”

Mbrojtja që ai i bën regjimit të vjetër dhe akuzat ndaj xhonturqve

LONDËR – Ismail bej Qemali, tri herë guvernator i Tripolit nën regjimin hamidian (Abdul Hamid) dhe që nga ardhja në pushtet e turqve të rinj (xhonturqve), një kritik rebel i politikës së turqizmit së fundi ka qëndruar në Londër. Në bisedën me një përfaqësues të “The Morning Post”, Ismail Qemali hodhi poshtë me përzemërsi sugjerimin e udhëheqësve xhonturq se shqiptarët janë pasiv në besnikërinë e tyre ndaj kauzës otomane.

Kritika për Italinë
“Si një otoman patriot, unë protestoj me gjithë zemër kundër sjelljes së qartë të Italisë. Ajo nuk është vetëm një fyerje e integritetit të Perandorisë Otomane, me të cilën Italia është një bashkëgarantuese në marrëveshjet e viteve 1856 dhe 1878, por përbën një kërcënim të lartë për ekzistencën e shumë shteteve dhe i trajton marrëveshjet ndërkombëtare thjesht si mbeturina prej letre. Sipas Artikullit 8 të marrëveshjes së vitit 1856, Italia pranoi bashkë me fuqitë e tjera nënshkruese se “nëse do të dalë ndonjë problem midis Portës së Lartë dhe çdo shteti tjetër të fuqive që kanë firmosur dokumentin, çdo keqkuptim, i cili mund të rrezikojë ekuilibrat e marrëdhënieve të tyre, Porta e Lartë dhe secila prej fuqive të tilla, më parë duhet të tërhiqen nga e drejta e përdorimit të forcës, duke i lejuar vetes të fusin palë të tjera ndërmjetësuese, si një mundësi për të shmangur zgjidhet ekstreme. Për më tepër, sipas Protokollit të Londrës, nënshkruar në vitin 1871, fuqitë e kishin mbështetur atë unanimisht, si një parim thelbësor të Ligjit të Kombeve që asnjë fuqi nuk mund të hedhë poshtë detyrimet që dalin nga marrëveshja, apo të modifikojë marrëveshjen përkohësisht, duke mos pranuar pëlqimin e palëve ndërmjetësuese që rrjedhin prej saj.

“Aspekti trishtues i çështjes në tërësi, në mendjen time, është se ky veprim nga ana e Italisë përcakton për të një pamje tërësisht tendencioze. Ylli i Italisë së Bashkuar doli gjatë luftës së Krimesë, kur ajo ishte bashkë me Francën dhe Anglinë, në mbrojtje të integritetit otoman dhe ajo arriti shkëlqimin e saj të madh në luftën e lavdishme për bashkimin e Italisë, e cila ishte e mjaftueshme që të deklarojë parimin e kombësisë. Opinioni im nuk është lëkundur asnjëherë në drejtim të kësaj; Fuqitë duhet të ndërhyjnë që të shmangin lëvizjet e fundit të Italisë dhe unë akoma mendoj se do të vijë dita kur ata do të pendohen nga realizimi i sanksionit të heshtur përmes ligjit të dhunës. Veçanërisht, Anglia ka interesa thelbësore për arsye të popullsisë së madhe muhamedane që ajo qeveris dhe nuk ka asnjë dyshim se të gjithë popujt myslimanë kanë qenë thellësisht të prekur nga ky akt i paqytetëruar i qeverisë së “civilizuar” perëndimore.

Shqiptarët, pro-otomanë
Sigurisht, unë mund ta them këtë: Shqiptarët myslimanë, pavarësisht shumë vuajtjeve të rënda të shkaktuara nga ata gjatë një apo dy viteve të fundit, nuk do të rrinë duke pritur nëse është e nevojshme për t’u ngritur dhe do të bien në llogoren e fundit për mbajtjen e perandorisë, nëse do të jetë e nevojshme.
“Por, nëse unë e ndiej aq fuqishëm sa çdo otoman tjetër, në drejtim të çdo sulmi të bërë ndaj Perandorisë, jam i verbër ta arsyetoj ngjarjen në tërësi. Unë jam aq i sigurt aq sa mund të jem, se qeveria turke nuk ka humbur besimin te popujt e saj, me gjithë veprimet e çmendura të xhonturqve, si dhe respekton dhe simpatizon Fuqitë e Mëdha dhe Italia kurrë nuk do të ëndërrojë tentativën për një goditje të tillë.

Problemet me xhonturqit
Që pas rënies së Qamil Pashës, qeveritë, të cilat kanë vijuar njëra pas tjetrës, nuk kanë pasur qëllim më shumë të aplikojnë programin e një grupi njerëzish të panjohur përmes mjeteve të mistershme të pushtetit të tyre, sesa kanë luajtur thuajse për të ruajtur magjinë e ekzistencës së Perandorisë. Me zhdukjen e despotizmit të Abdul Hamidit, ata vazhduan të vënë të tjerë në vendin e tij. Ndonëse nën pushtetin hamidian, individët u vunë në qendër të persekutimit, e njëjta metodë është zbatuar edhe nën pushtetin e xhonturqve ndaj të gjithë kombësive. Në ditët e mia të para atje pashë një tmerr të kryer në masakrat e Adanas të realizuar nga urdhrat e këtyre njerëzve, që mbështetën shkarkimin e Abdul Hamidit. Pas vendosjes së tyre përfundimtare në Kostandinopojë, ata i varën shqiptarët që kishin qenë propaganduesit e tyre përpara se të bëhej ndryshimi. “E njëjta gjë ishte edhe në Hauran dhe Jemen. Paraja i kishte dalldisur dhe Perandoria u tkurr nga trazirat në luftën kundër të ashtuquajturve armiq të brendshëm, ndërsa garnizoni i Tripolit ishte reduktuar, siç thuhet, në rreth 500 veta.

Shpërbërja u pasua me armiqësi të brendshme kudo. Dhe tani nxitësit që sollën zjarrin janë hidhëruar sepse liberalët e vërtetë në Perandori këmbëngulin se ata nuk janë njerëzit që duhet të dëbohen. Personat që i bënë këto gabime kërkojnë ndëshkimin e merituar; së paku ata nuk duhet të lejohen më gjatë të ushtrojnë ndikimin e tyre të keq në shumë poste zyrtare.

Unë nuk kam hezituar të them se nëse Komiteti vazhdon të ekzistojë si pushtet suprem, asnjë element që përbën Perandorinë, apo Fuqitë, nuk do të jetë në gjendje të ketë besim në qenien si qeveri ligjore dhe me siguri që do të vijë një përplasje.

Kalbja e Perandorisë
Komiteti duhet të pranojë të këqijat që ka shkaktuar dhe anëtarët e tij duhet të kenë patriotizmin e mjaftueshëm që t’i zhdukin ata dhe të shkojnë te pushtetet e ngritura ligjërisht, – Sulltani, Senati dhe Dhoma, – një veprim ky absolutisht i lirë. Duke dështuar kjo, unë besoj se Perandoria është e destinuar të kalbet. Të gjithë njerëzit e saj janë gjallë nga e njëjta ndjesi. Ai është element i papërgjegjshmërisë në qeveri, e cila një ditë duhet të fundoset.

“Ju më pyesni si zgjidhet çështja e Tripolit. Është e vështirë të përcaktosh se si do të shkojnë gjërat. Personalisht kundërshtova pranimin e një dëmshpërblimi në para, siç ishte gjithashtu, i njëjti rast në Bosnjë, në vitin 1908. Unë besova më pas dhe besoj edhe tani se ishte një precedent fatal dhe unë isha kundër kësaj. Perandoria Otomane nuk mund të qëndrojë e vetme; ajo ka nevojë për mbështetjen e aleatëve dhe unë mendoj se çështja mund të ishte zgjidhur në ato linja. Trazira e tanishme tregon shumë mirë të njëjtën gjë. Tripoli nuk është tamam i njëjti, si pjesë e Perandorisë. Tradicionalisht ai është përbërë nga dy Bevlikë, të ndarë dhe ai kishte një marrëveshje të sajën me Anglinë për disa kohë. Siç e dini, përfundimi i saj, duke u shkrirë brenda Perandorisë, është një çështje e historisë së kohëve të fundit dhe Caramanli i ka mbajtur zyrtarët deri gjatë viteve të fundit. Marrëdhëniet tona me Anglinë në lidhje me Egjiptin dëshmuan një mënyrë të mundshme të shmangies së telasheve. Ju keni mbrojtur teorikisht sovranitetin tonë.

Ne kemi marrë haraçin tonë të vjetër dhe Britania e Madhe ka bërë ç’është e mundur që të ruajë tokën historikisht të dashur të Turqisë në lidhje me Khediviaten. Anglia ka sjellë një model në drejtim të Egjiptit dhe unë mendoj gjithashtu se përmes indiferencës së saj ajo ka treguar se kjo është bërë vetëm nga besimi në dashamirësinë e saj, që Turqia të mund të shpresojë të ruajë ndikimin si një fuqi e madhe. Ky është një nga gabimet më të rënda të viteve të fundit që drejtuesit e saj kanë bërë, të përpiqen ta detyrojnë Turqinë që të luajë rolin e një fuqie të madhe ushtarake, kur ajo është në fundin e një periudhe të rigjenerimit dhe rritjes. Nuk është se Perandoria po e shet lëkurën shtrenjtë dhe as nga politika e Chauvinizm-it, në aspektin e brendshëm dhe të jashtëm, që respekton atë që fiton, por unë shpresoj se kur marrëveshja tashmë është tejkaluar, ne do të kthehemi te politika e liberalizimit real, të cilën e shohim jo thjesht si zbavitje, ashtu siç ndodhi në fund të regjimit të vjetër, në vitin 1908.

Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 31 dhjetor 1911

Pavarësia e Shqipërisë, si reaguan Fuqitë e Mëdha

“The New York Times” raporton hollësisht për pavarësinë e Shqipërisë

Shtetet që dolën kundër saj dhe shtrimi i çështjes në Konferencën e Londrës

Grekët akuzojnë Ismail Qemalin

VJENË – Një mesazh radiofonik i marrë në Trieste nga vapori “Graf Wurmbrand” thotë se dy anije ushtarake torpediniere u hetuan në Durrës për kontrabandë. Udhëheqësi shqiptar, Ismail Qemali, i cili kishte qenë në bordin e “Graf Wurmbrand” dhe që po shkonte të shpallte pavarësinë e Shqipërisë, kishte zbarkuar me mbështetësit e tij kur ishte bërë kontrolli. Mesazhi shton se deri sot në mbrëmje asnjë anije serbe apo malazeze nuk ishin shfaqur në Durrës.

Lajmi është publikuar në “The New York Times” më 23 nëntor 1912

Mediat perëndimore njoftojnë shpalljen e pavarësisë

Ismail bej Qemali thotë se e ka bërë njoftimin në Durrës

VJENË – Sipas një informacioni të publikuar në të përditshmen “Allegemeine Zaitung”, pavarësia e Shqipërisë është shpallur në Durrës nga Ismail bej Qemali, udhëheqës i shqiptarëve.

Lajmi është publikuar në “The New York Times” më 24 nëntor 1912

Italia i gëzohet pavarësisë së Shqipërisë

Shumë persona me prejardhje shqiptare jetojnë në provincat e Jugut

ROMË – Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë dhe krijimi i një qeverie të përkohshme atje është mirëpritur në Itali, veçanërisht në Italinë e Jugut. Italia dhe Sicilia, ku jetojnë disa qindra e mijëra shqiptarë për nga origjina, të parët e të cilëve u arratisën drejt Italisë në vitin 1444, kur Skënderbeu, djali i Gjon Kastriotit, princ i një fisi në Shqipëri, njohën pavarësinë e saj dhe e mbrojnë atë në luftën e suksesshme kundër qeverisë otomane. Telegrame të pafundme u shkëmbyen midis udhëheqësve shqiptarë këtu dhe vëllezërve të tyre në vendlindje. Ka shumë shqiptaro-italianë të njohur në Itali. Kryeministri i fundit, Krispi, ishte me prejardhje shqiptare.

Lajmi është publikuar në “The New York Times” më 30 nëntor 1912

Ismail Qemali, mesazhe në Perëndim për njohjen e Pavarësisë

LONDËR – Sipas korrespondentit të “The Daily Mail” në Kostandinopojë, përfaqësuesit e Turqisë dhe Bullgarisë do të firmosin këto ditë një marrëveshje armëpushimi. Megjithëse kjo deklaratë nuk është konfirmuar saktë nga ndonjë burim, një zyrtar shpërndau njoftimin në kryeqytetin turk, ku deklarohej se armëpushimi është i pritshëm dhe një marrëveshje mund të firmoset gjatë një apo dy ditëve të ardhshme. Ndërkaq, vazhdon përmirësimi i gjendjes së përgjithshme në Europë. Propozimet e sekretarit Britanik për Çështjet e Jashtme, zoti Eduard Grew, të cilat realisht konsiderohen vetëm propozime që një nga kryeqytetet të bëhet një lloj qendre diplomatike që të lehtësojë shkëmbimin e pikëpamjeve midis fuqive, ka gjetur aprovimin dhe konsiderohet një pikë e sigurt.
Mesazhet nga Shën Petersburgu artikulojnë synimet paqësore të Rusisë. Qeveria austriake është përgatitur të mirëpresë zgjidhjen që u propozua nga Ismail Qemali, që është shpallur President i Përkohshëm i Shqipërisë nga drejtuesit e fiseve shqiptare. Në lidhje me shqetësimin për kultivimin e marrëdhënieve të mira me shtetet e Ballkanit, ai premtoi se do të garantojë për serbët ushtrimin e tregtisë së lirë në Durrës. Austria do të bie dakord për këtë.
Ismail Qemali, që dikur ishte udhëheqësi shqiptar në Parlamentin Turk, ka dërguar kërkesa te qeveritë e Austrisë, Francës dhe Italisë për njohjen e shtetit të ri të Shqipërisë dhe mbrojtjen e saj nga copëtimi.

Lajmi është publikuar në “The New York Times” më 30 nëntor 1912

Italia dhe Austro-Hungaria, pro pavarësisë

VLORË – Pavarësia e Shqipërisë mund të gëzojë simpati të gjerë dhe mbështete morale prej Italisë dhe Austro-Hungarisë. Kjo është thënë sipas një garancie që iu dha Ismail bej Qemalit nga konsujt e dy fuqive këtu teksa flisnin në emër të qeverive respektive.

Lajmi është publikuar në “The New York Times” më 3 dhjetor 1912

Rusët nuk e njohin pavarësinë e Shqipërisë

VJENË – Një mesazh i “Neue Freie Presse” nga Kostandinopoja thotë se ambasadori rus ka informuar Vezirin e Madh se Rusia nuk do ta njohë pavarësinë e Shqipërisë. Ai thotë se Rusia është dakord që të krijohet jo më tepër se një provincë autonome, nën garancinë e të gjitha fuqive të mëdha.

Lajmi është publikuar në “The New York Times” më 4 dhjetor 1912

Roma dhe Vjena, mbështetje për Ismail Qemalin

LONDËR – Sipas një mesazhi nga kryeqyteti i Austrisë, “Ismail bej Qemali, udhëheqësi i shqiptarëve, ka dërguar një telegram nga Vlora në Vjenë, duke protestuar kundër bombardimit të qytetit nga dy anije luftarake greke. Zyra Ndërkombëtare e Postës thotë se përmes bombardimit, luftanijet kishin objektiv special ndërtesat publike të qytetit ku valëvitej flamuri i ri shqiptar.
Zoti Eduart Grey, sekretari i Jashtëm, tha dje pasdite se megjithëse i është propozuar Konferencës së Ambasadorëve në Londër, po bëhet progres në këtë drejtim. Nuk është vendosur përfundimisht nga të gjitha fuqitë europiane nëse është momenti i përshtatshëm për të…

Lajmi është publikuar në “The New York Times” më 6 dhjetor 1912

Çështja shqiptare vë në vështirësi Konferencën e Ambasadorëve

LONDËR – Ndonëse marrëveshja e ambasadorëve të Fuqive të Mëdha rreth autonomisë së Shqipërisë është një hap i rëndësishëm, ku po përpunohen detajet e skemës që ta bëjnë efektive atë, ky do të jetë një ndër problemet më të vështira që po përballet ndonjëherë një konferencën europiane. “The Economist” jep të dhëna të financierëve dhe investitorëve që shprehen se në vitin që vjen totali i huave që do të jepen arrin në 400 milionë dollarë, me të cilat do të riparohen dëmet e shkaktuara nga lufta dhe mobilizimet në Rusi, Austri dhe Itali. Gazeta llogarit koston e luftës rreth 175 milionë dollarë, duke përdor si bazë për përllogaritjen faktin se janë rreth 1 090 00 njerëz nën armë; – 400 mijë turq, 300 mijë bullgarë, 200 mijë serbë, 150 mijë grekë dhe 40 mijë malazezë, – sipas një shpenzimi mesatar prej 10 shilingash (2.40 dollarë në ditë për një person).
Delegatët e Paqes së Ballkanit dje iu gëzuan mikpritjes së Lord Mayor në drekën e shtruar në “Mansion House” dhe dëgjuan një fjalim të mbajtur nga kryeministri Asquith, që tha se nuk ndihet i turpëruar të deklarojë veten optimist se negociatorët po ecin drejt dhe po arrijnë në vendosjen e paqes dhe se Paqja e Londrës do të vlerësohet nga historia si petali më krenar në kurorën Mbretërore të Londrës.
Porta e Lartë ka autorizuar të dërguarit e saj të përfshihen në delegacionet greke gjatë negociatave për paqe dhe nisi një korrier që të marrë dokumentet që do të dalin nga ky vendim, që pritet të merret sot në Londër. Mesazhet nga Kostandinopoja thonë se turqit janë të sigurt se tani do të kenë një pozitë ushtarake më të mirë në drejtim të grekëve sesa kur nisën negociatat dhe se Turqia tani nuk do të nënshkruajë një amnisti me ata, edhe nëse grekët e kërkojnë.
Sipas një tjetër informacioni, delegacionet turke kanë qenë të udhëzuara të ngrenë çështjen e statusit të Adrianoples në mënyrë të menjëhershme dhe nëse Bullgaria këmbëngul në pretendimet e saj, do të ndërpriten negociatat e paqes. Diplomatët, përgjithësisht, tregohen skeptikë për këtë histori. Megjithatë, “The Daily Telegraph” thotë se ka informacion të paqartë se Turqia është e vendosur në mënyrë të fortë për të mbajtur Adrianoplen apo të rifillojë armiqësitë. Për këtë arsye ajo mbajti një pikëpamje serioze për të ardhmen e çështjes së konsideruar të suksesshme në Konferencën e Paqes. Gjithashtu, gazeta përmend se përdorimi i fjalës “autonomi” në qëndrimin zyrtar, i dalë nga Konferenca e Ambasadorëve, në vend të pavarësisë, të lë të kuptosh një synim te pjesa e Fuqive të Mëdha, që ta lërë Shqipërinë nën mbikëqyrjen turke, e cila mund të jetë e mirëpritur prej aleatëve të Ballkanit. “The Morning Post” thotë se kjo është e kuptueshme, ndonëse nuk ka mundësi që aleatët të japin pëlqimin e tyre për mbajtjen e Adrianoples nga Turqia; ata janë të vendosur të presin një kërkesë për mbrojtjen e Xhamisë së famshme të Sulltan Selimit atje për besimin muhamedan dhe se dëshirojnë marrëdhënie miqësore me Turqinë. Ata janë gati të lëshojnë çdo koncesion të arsyeshëm te turqit, duke paracaktuar lejimin e çdo province kristiane që të mbetet nën sundimin turk.

Lajmi është publikuar në “The New York Times” më 21 dhjetor 1912

Ismail Qemali refuzon propozimin e Ruzveltit për mbret të Shqipërisë

LONDËR – Ismail bej Qemali, gjatë një interviste të dhënë ditët e fundit në lidhje me sugjerimin që kolonel Ruzveltit e ftoi atë të që bëhej kandidat për fronin e Shqipërisë, tha se kjo çështje doli përmes korrespondentit të një gazete amerikane kur e pyeti nëse ai, duke qenë ish-president, a mund t’i përmbushë detyrimet për mbret të Shqipërisë? Ai tha se preferon ta trajtojë sugjerimin si një lojë dhe nuk mendon që të jetë një gjë e përshtatshme për ta marrë seriozisht në konsideratë.

Lajmi është publikuar në “The New York Times” më 11 maj 1913. /Gazeta Albania/