Drejtori i Institutit të prognozave rajonale në Tiranë, Koço Danaj ka deklaruar se deri në vitin 2013 do të duhej të krijohej shteti i ri shqiptar.
Sipas parashikimeve të tij, ky shtet do të përfshinte Shqipërinë e Kosovën, por edhe pjesë të Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Greqisë ku jetojnë shqiptarët.
Këtë ide Danaj e ka shfaqur në promovimin e listës së tij politikë “Lista e Shqipërisë Natyrale”.
Ai ka vlerësuar se shqiptarët në këto shtete do të duhej të dilnin në referendum në të cilin do të deklaroheshin për themelimin e shtetit të madh shqiptar. Vendimin për referendum së shpejti e presin edhe në Kosovë.

Danaj mendon se krijimi i shtetit të ri do të mund të arrihet vetëm në mënyrë paqësore dhe negociata me fqinjët dhe ka shtuar se krijimi i shtetit të madh shqiptar do të jetë zgjidhja më e mirë për stabilitetin dhe zhvillimin e Ballkanit, si dhe çështjen shqiptare në përgjithësi.
/Telegrafi/