Deutsch EnglishShqip
Home Members Blogs Photos Videos Music Groups Events Polls Articles chat
Articles
Përkrenarja ilire, të fshehtat që vijnë nga lashtësia
04-13-08
Njëra prej përkrenareve ilire të gjetura në rrugën e Arbrit po i nënshtrohet restaurimit. Prej tri javësh ajo ndodhet në Laboratorin e Konservimit dhe Arkiometrisë të Institutit tonë të ruajtjes kulturore dhe studimit të artit, për t'u konservuar dhe restauruar. Kjo është dhe përkrenarja më e dëmtuar. Ato u gjetën gjatë punimeve në këtë rrugë në fshatin Sofraçan. E dyta kaloi në peripecinë e vjedhjes nga një prej punëtorëve, të cilit ia konfiskoi më pas policia e Fierit. Përkrenares ilire, e cila daton rreth shek VI-V para erës sonë, i mungojnë disa pjesë. Ndërkohë që punonjësja e laboratorit, Elida Davishi ka filluar punën me të. "Gjëja e parë që synojmë, është të ndërpriten proceset e korrezionit të përkrenares dhe të jetë e ekspozueshme. Nga ana tjetër, do të përpiqemi të gjejmë dhe anët teknologjike të prodhimit të saj", - shprehet Frederik Stamati, shef i Laboratorit të Arkiometrisë dhe Restaurimit. Deri më tani kanë dalë të qarta motivet e zbukurimit në dy buzët e përkrenares. Ato janë në formë gjysmësferash. Njëkohësisht, janë të qarta vendet ku lidhej spangoja në gushën e kalorësve dhe një birrë që shërbente për të lidhur kreshtat e përkrenares. Zbulimi i njëkohshëm i dy përkrenareve, në një kohë që sipas Stamatit në Shqipëri nuk ka më shumë se 10 të tilla, është shumë i rëndësishëm për studimin e mëtejshëm të tyre. Ato ndodhen të shpërndara në disa qytete. Një ruhet në Belsh (Elbasan), një ishte në muzeun e Durrësit (pas restaurimit dhe ekspozimit, u vodh) një në muzeun e Krujës dhe disa në Muzeun Arkeologjik në Tiranë. Përkrenarja që gjendet në laborator ka një patinë jeshile fisnike, me përjashtim të vendeve ku e ka dëmtuar kova e ekskavatorit. Sipas Stamatit, për fat të mirë toka ku është ruajtur ka qenë pa lagështirë dhe kripë. Këtë e tregon korrezioni i qetë, që nuk e ka dëmtuar në masë të madhe. Gjatë ditëve të para të restaurimit, në të janë vërejtur edhe shenjat që i janë lënë gjatë prodhimit. Ndonëse analizat nuk janë bërë për të nxjerrë me saktësi përbërjen e saj, jepen disa të dhëna paraprake për ndërtimin dhe mënyrën e prodhimit të saj. "Me mjetet tona në laborator, konstatojmë që kjo përkrenare ka qenë bërë në linjën e përpunimit të metaleve të asaj kohe. Duhet të jetë bronz normal, me rreth 10 % kallaj dhe 8 % bakërr. Është marrë një petë prej bronzi, ka filluar të rrihet duke u shtrirë gjithnjë e më tepër, e pastaj duke u kuposur me rrahje nga brenda. Duken shumë mirë gjurmët e çekiçit që është përdorur për ta rrahur dhe ndonjë plasaritje", - tregon Stamati. Madje, 2-3 ditë më parë, gjatë restaurimit u pa që në një vend në pjesën e sipërme të kokës, gjatë rrahjes metali ka qenë çarë dhe më pas është arnuar me një tjetër metal. Sipas Stamatit, ky nuk është rasti i parë. Ai shprehet se është një fenomen që ndodhte rëndom në punimet e lashtësisë. Ai sjell si shembull gjetjet në varrin e Belshit, një nga më të pasurit, ku bashkë me një përkrenare, ishin gjetur dhe enë të tjera që ishin të arnuara, një pjesë e të cilave janë përdorur nga prijës. Nga studimi i parë i saj, Stamati shprehet se në përfundim të prodhimit, kjo përkrenare është limuar aq shumë sa ka marrë refleks pasqyre. Duke iu referuar kohës, Stamati shprehet se ato nuk janë mbajtur nga çdo njeri, por për prijësit. Të tilla mund të kenë qenë dhe dy përkrenaret e rrugës së Arbrit. "Në atë kohë, në shekullin e VII sapo është shthurur rendi fisnor për të dhënë bazën e kalorësve, e cila do të ishte më pas baza e fisnikërisë së ardhshme. Këto mund të jenë përkrenaret e dy kalorësve, pra të pjesës së ngritur të shoqërisë. Metali në atë kohë kushtonte jashtëzakonisht shumë dhe nuk ka prodhim masiv të metaleve. Ende nuk mund të thuhet nëse dy përkrenaret e gjetura janë pjesë e një varri të pasur me objekte të tjera arkeologjike. Së shpejti Adem Bonguri do të kryejë një ekspeditë arkeologjike dhe do të kontrollojë gjithë dheun që ka dalë nga gërmimi. "Gjatë restaurimit ne do të shohim për praninë e ndonjë mbishkrimi, sidomos pjesën e brendshme dhe ndoshta do të hedhim idenë për një studim të veçantë të përkrenareve që gjenden në Shqipëri, për të kuptuar nëse janë prodhuar në një qendër të specializuar të prodhimit të tyre apo nga njerëz që u është dashur të merren me to", - shprehet Stamati. ol.li
Copyright © 2008 1nate.com.